Rreth organizimit!
MARSHI I ÇLIRIMIT 2025
Marshi i Çlirimit, organizuar nga Klubi i Çiklizmit Opoja në bashkëpunim me Komunën e Dragashit, është zhvilluar me sukses, duke u mirëpritur nga të gjithë të pranishmit. Ngjarja solli një atmosferë të jashtëzakonshme, ku qytetarët, sportdashësit dhe përfaqësuesit institucionalë festuan së bashku këtë ditë të rëndësishme.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, Nënkryetari, z. Resul Fetahu, Kryesuesja e Kuvendit, znj. Arijeta Skeraj, Drejtoresha e Kulturës znj. Liridona Misini Piraj, Drejtori i Financave, z. Qamil Kolloni, si dhe Kryetari i OVL të UÇK-së, z. Emri Neshati.
Në një fjalë rasti, Kryetari i Komunës mirëpriti organizimin, duke falënderuar organizatorët për këtë iniciativë dhe duke u uruar pjesëmarrësve një marsh të këndshëm pa probleme. Po ashtu, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e përkrahu këtë nismë dhe premtoi bashkëpunim të vazhdueshëm me klubin për të fuqizuar aktivitetet sportive dhe komunitare.
Në shenjë falënderimi, Kryetari i Komunës dhe Drejtoresha e Kulturës u nderuan me mirënjohje dhe pranuan fanellën zyrtare të klubit, duke vazhduar me ndarjen e mirënjohjeve për shkollat pjesëmarrëse në projektin “Biçikleta – Mjeti i Turizmit dhe Shëndetit”.
Pas ceremonisë, Gara e Balancës solli emocione të forta dhe u ndoq nga afër nga të pranishmit. Ky aktivitet krijoi momente shumë pozitive dhe u shoqërua me entuziazmin e garuesve.
Të tre fituesit u nderuan me mirënjohje dhe u shpërblyen me çmime monetare për performancën e tyre.
Pas garës, u vazhdua me Marshin e Çlirimit, i cili për shkak të moshës së pjesëmarrësve u mbajt në itinerarin Dragash – Liqeni i Breznes. Çiklistët shijuan natyrën e mrekullueshme, duke përfunduar eventin me një moment socializimi dhe ushqim të përgatitur për të gjithë pjesëmarrësit.
Një falënderim i veçantë i shkon znj. Liridona Misini Piraj, e cila iu bashkua marshit, duke dëshmuar përkushtimin dhe mbështetjen maksimale për këtë organizim.
Ky marsh dëshmoi edhe një herë rëndësinë e sportit, komunitetit dhe promovimit të turizmit malor!
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve, dhe mbështetësve për suksesin e këtij eventi!
Sponzor të marshit
Ne po bashkëpunojmë me shumë kompani dhe organizata lokale për të ofruar më të mirën për komunitetin, shumë surpriza në organizimin e këti marshi, ju shprehim falenderimet tona të veçanta për të gjithë ju, pa ju asgjë nuk do ishte e mundur!
VLOG DHE FOTOGRAFI
Ngjarja solli energji pozitive, disiplinë sportive dhe respekt për natyrën, ndërsa kjo video rikthen emocionet, fytyrat e gëzuara dhe momentet kryesore të një dite që la gjurmë të veçanta në kalendarin tonë sportiv.
